Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ka hapur një procedurë konkurrimi publik për dhënien në përdorim të hapësirave shërbimi në dy monumente kulture të kategorisë së parë: Kalanë e Rozafës në Shkodër dhe Kalanë e Lëkurësit në Sarandë. Qëllimi i kësaj nisme, sipas njoftimit zyrtar, është “rijetësimi” i këtyre pasurive kulturore.
Pas njoftimit të fundit nga Ministria, Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore ka dalë kundër kësaj procedure duke ngritur pikëpyetje të forta mbi qëllimin e vërtetë të përdorimit të kalasë së Lëkurësit, duke pyetur nëse ajo është “Picerí apo Trashëgimi Kulturore?”
“Forumi kujton se Kalaja e Lëkurësit, e dhënë me qira që në kohën e ministrit Edi Rama, ishte parashikuar të shndërrohej në një pikë kulturore në shërbim të trashëgimisë së zonës. Sot, pas më shumë se 25 vitesh, ajo është kthyer në simbol të degradimit, ku vlera kulturore mungon pothuajse tërësisht,” thuhet në reagim.