Ministria e Drejtësisë, në bashkëpunim me një grup ekspertësh të jurisprudencës, prezantoi këtë të premte draftin e Kodit të Ri Penal. Ky draft është hartuar nga ekspertë të pavarur, nën drejtimin e drejtorit të Shkollës së Magjistraturës, Arben Rakipi. Ai tha se një klauzolë e këtij drafti është edhe lirimi para kohe me kusht për të dënuarit me burgim të përjetshëm.
“Dua të ndalem te lirimi para kohe me kusht. Ne kemi patur në ligj disa pengesa që lidhen me aplikimin e lirimit para kohe me kusht, lidhur me burgimin e përjetshëm. Diskutimi i gjatë u mbyll me propozimin që po, ne mund ta aplikojmë lirimin para kohe me kusht, për dënimin me burgim të përjetshëm. Duhet të më besoni, është një propozim shumë i guximshëm. Debati ka qenë i fortë. Këtu pleksen shumë gjëra, viktima, procesi i riedukimit, paqja sociale, shkalla e kriminalitetit në vend.
Nisur nga besimi, që edhe personalisht kam, që njerëzit ndryshojnë, njerëzit përmirësohen nga kushtet në të cilat vendosen dhe nëse puna me ta është e efektshme. Kjo nuk është një parrullë e thënë për shkak të formimit tim, por është një eksperiencë e përditshme që ndodh gjithandej. Prandaj edhe ne e propozuam këtë zgjidhje. Se çfarë fati do të ketë kjo zgjidhje…”, tha mes të tjerash Rakipi.
Qeveria prezanton Kodin e ri Penal/ Manja: 30 ndërhyrje, ka 327 nene