Përfaqësues të Partisë Demokratike po zhvillojnë takime të rëndësishme në Berlin, ku diskutohen çështje kyçe për procesin e integrimit europian të Shqipërisë.
Axhenda përfshin bisedime me figura të larta politike të Gjermanisë, përfshirë Bundestagun dhe qeverinë federale.
Axhenda përfshin takime me:
Kryetarin e Komisionit për Europën, Anton Hofreiter
Kryetarin e Komisionit të Jashtëm, Armin Laschet
Anëtarin e strukturave për çështjet europiane dhe përfaqësues në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, Knut Abraham
Kryetaren e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Mechthild Heil
Deputetin e Bundestagut, Tilman Kuban
Zëdhënësin për politikën e jashtme, Jürgen Hardt
Ministrin e Shtetit për Europën në Ministrinë e Jashtme Federale, Günther Krichbaum
Pak kohë më parë, gjatë një vizite në Tiranë, Kryetari i Komisionit të Jashtëm në Parlamentin Europian, David McAllister, theksoi se procesi i zgjerimit bazohet në meritë dhe në rezultate konkrete në sundimin e ligjit dhe standardet demokratike. Ai e cilësoi gjithashtu çështjen e Belinda Ballukut si një test të rëndësishëm për seriozitetin e Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit. Në këtë kontekst, mbetet domethënëse edhe vota e PS kundër SPAK, një zhvillim që ka ngritur pikëpyetje në Berlin, në Bruksel dhe në kryeqytete të tjera europiane mbi angazhimin real të qeverisë shqiptare në këtë drejtim.
Gjatë takimeve të djeshme, por edhe në diskutimet e sotme në Bundestag dhe në qeverinë federale, opozita shqiptare po paraqitet si një faktor që synon të garantojë standardet e kërkuara për procesin e integrimit europian. Një nga objektivat e këtyre takimeve është konsolidimi i saj si një aktor kyç në ndërtimin e një procesi më të besueshëm integrimi, duke sinjalizuar se është e gatshme të udhëheqë këtë proces mbi bazën e standardeve europiane.
/5pyetjet.al









