Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku u shpreh se kryeministri në detyrë Albin Kurti është uzurpator i institucioneve shtetërore me vendim të Gjykatës Supreme. Kjo pasi Abdixhiku ka thënë se ai bashkë me anëtarët tjerë të kabinetit qeveritar po e mbajnë edhe postin e deputetit, por edhe pozitat në qeveri.
“Unë dhe LDK-ja e kemi shumë të qartë. Albin Kurtit duhet t’i thuhet respekto vendimin e Gjykatës Kushtetuese që të garanton qartë jo vetëm të drejtën, por edhe përgjegjësinë për të krijuar shumicë.
Albin Kurtit duhet t’i thuhet respekto vendimin e prerë të Gjykatës Supreme që të ndalon ty, ministrat e tu dhe të gjithë kabinetin të jeni në të njëjtën kohë deputetë dhe anëtarë të qeverisë.
Je uzurpator i institucioneve të shtetit tash me vendim të Gjykatës Supreme dhe po qëndron aty vetëm e vetëm sepse ky vend ende nuk është i pjekur që të ketë një prokurori dhe një polici që ia ndalon të bëjë një gjë të tillë”, ka thënë Abdixhiku në fjalimin e tij pas dështimit të 54-t të vazhdimit të seancës për konstituimin e Kuvendit.
Ai ka shtuar se refuzimi i bashkëpunimit me Kurtin është një nga vendimet më kombëtare të partisë së tij.
“Unë besoj se në politikë jemi të gjithë kalimtarë. Lëmë shenja aty-këtu. Por e them me bindje se refuzimi për të bashkëpunuar me politikën që Albin Kurti sot përfaqëson është një nga vendimet më kombëtare që kemi marrë ne si LDK” tha ai.