Në karrierën time mbi një dekadë e gjysëm në shërbimin publik, nga sallat e brendshme të vendimmarrjes deri te përgjegjësia për zhvillimin e kapitalit njerëzor të komunitetit të sigurisë kombëtare, kam parë nga afër fytyrën reale të shtetit. Jo atë që shfaqet në kamera, por atë që shfaqet prapa mekanizmave të heshtura të vendimmarrjes që ndikojnë fatet e njerëzve…
Aty kam mësuar se udhëheqësia nuk është art i bindjes me fjalë, por vullnet i qëndrimit në kohë të vështira. Se udhëheqës i vërtetë është ai që nuk pranon të korruptojë as mendimin e vet, as institucionin që përfaqëson, edhe kur e gjithë klima rreth e rrotull e nxit që të bëjë të kundërtën.
Sepse pa ndershmëri morale, nuk ka aftësi strategjike. Mund të dish çdo gjë për kundërshtarin, por nëse nuk ke integritetin për të vendosur drejt, atëherë njohja bëhet thikë në dorën e gabuar. Dhe ky është rreziku i madh i çdo demokracie të brishtë, që institucionet mund të sofistikohen teknikisht, por të shkretohen shpirtërisht.
Sot, Shqipëria ka nevojë për një brez të ri, i cili nuk vjen për hakmarrje apo lavdi. Por, një brez që ka guximin të përballet me realitetin, jo ta shmangë atë. Një brez që nuk e maskon paaftësinë me cinizëm, dhe nuk e quan idealizmin naivitet.
Udhëheqja e së ardhmes nuk ka për të dalë nga oborret e partive, por nga ndërgjegjja e atyre që kanë parë pushtetin nga brenda dhe nuk janë korruptuar prej tij. Nga ata që e kanë kuptuar se shërbimi ndaj atdheut nuk është thjesht një karrierë, por një mision. Nuk na mungojnë njerëzit, nuk na mungojnë idetë, na mungon vullneti.
Shteti shqiptar nuk ka nevojë për më shumë pushtet, por për më shumë karakter. Sepse në fund të fundit, drejtimi i një vendi nuk fillon nga fjalët, por nga veprat. Ai fillon nga vendimi, që të mos kesh frikë nga e vërteta, sepse vetëm e vërteta të bën të lirë.
Shqipëria sot më shumë se kurrë, ka nevojë për njerëz që nuk kanë frikë nga e vërteta. Personalisht, nuk kam zgjedhur ndonjëherë rrugën më të lehtë. Qoftë si jurist, pedagog apo drejtues i lartë i Shërbimit Informativ Shtetëror, kam mësuar se shteti nuk është një mekanizëm anonim. Shteti është frymë dhe pasqyrë e karakterit të lidershipit. Dhe mbi të gjitha është një përgjegjësi ndaj së vërtetës…