Kryeministri Edi Rama gjatë një takimi me të rinjtë të angazhuar në start-up-e në fushën e ndërtimit njoftoi masat e reja për monitorimin e kantierëve dhe zhvillimin e industrisë së ndërtimit.
Ai theksoi se kompanitë që kanë më shumë se 100 punonjës do të kenë detyrimin të krijojnë departamente inovacioni, ndërsa kantierët e ndërtimit do të monitorohen në kohë reale.
“Duhet garanci për lejet, duke përfshirë listën e zezë për ata që nuk zbatojnë ligjet. Do të bëjmë çmos që të ndërtojmë një plan masash të reja represive që do të duhet të balancojnë mbështetjen e kanaleve të reja që do të hapim në këtë industri. Kantierët e ndërtimit do të kenë kamera dhe do monitorohen 24/7”, tha Rama.
Ai shtoi gjithashtu se monitorimi do të realizohet përmes teknologjisë më të fundit: “Po përfundojmë qendrën e monitorimit me dronë të integruar edhe me satelitët, do të shihet puna në raport me projektin në kohë reale.”