Ditën e sotme u diplomuan 90 studentë të Akademisë së Forcave të Armatosura, ku pesë prej tyre janë nga Kosova. Gjatë ceremonisë së diplomimit në sheshin Skënderbej në Tiranë ishte i pranishëm edhe ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu.
Ministri theksoi rolin kyç që kanë Forcat e Armatosura në mbrojtjen dhe përparimin e vendit. Vengu tha ushtria nuk është thjesht një strukturë ceremoniale.
“Më lejoni të them që është një nder i veçantë që të jem pranë jush sot, sepse është një moment i thellë krenarie institucionale, sepse sa herë një brez vesh uniformën, shteti shqiptar rifillon, forcohet, përtërihet. Kjo nuk është thjesht një ditë gëzimi, por një ditë dëshmie se rruga e duhur sado e vështirë mbetet rruga që formon njerëz të vërtetë.
Rruga që nuk të premton komoditet, por të ofron dinjitet dhe për këtë dua t’ju falenderoj. Forcat e Armatosura nuk janë një dekor ceremonial i Republikës, por janë kocka, muskul dhe ndërgjegje e saj, sepse fati i një kombi është i lidhur me fatin e atyre që janë të gatshëm të sakrifikojnë për këtë.
Këtë e pamë qartë vetëm pak ditë më parë ku mbi një mijë efektivë të FA-ve u përballën me flakët që dogjën male e fusha. Ata nuk bënë vetëm detyrën, por atë që në rrethana normale quhet mision dhe në rrethana të jashtëzakonshme quhet heroziëm i heshtur, ky është realiteti i profesionit të ushatarakut.”, tha Vengu.