Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, foli për situatën e zjarreve në vend gjatë një interviste për Euronews, ku për herë të parë bëri me dije se Shqipëria ka përfunduar procedurat për blerjen e dy avionëve zjarrfikës. Sipas tij fondet për avionët zjarrfikës janë alokuar, dhe aktualisht pritet prodhimi i tyre si dhe trajnimi i pilotëve.
“Përgjigja ime është se këtë vit janë angazhuar pesë helikopterë për fikjen e zjarreve, një numër i paprecedent deri më tani. Ky element do të përforcohet, pasi kemi alokuar fonde dhe kemi përfunduar procesin për blerjen e dy avionëve zjarrfikës. Buxheti është i siguruar dhe procedurat për blerjen e tyre janë realizuar.
Prodhimi dhe ardhja e avionëve në vendin tonë kërkon kohë të arsyeshme, pasi duhet të prodhohen dhe të dislokohen. Ndërkohë, po trajnojmë pilotët, pasi që prej vitit 2007 Shqipëria nuk ka pasur pilotë avionësh. Pra, qeveria e ka parashikuar këtë dhe po investon për të pasur mjete ajrore shtesë, duke forcuar edhe flotën e helikopterëve,” tha ministri Pirro Vengu.