Investitorët amerikanë kanë shprehur shqetësim për klimën e biznesit në Shqipëri, sipas Indeksit të Besimit të Bizneseve të publikuar nga Dhoma Amerikane e Tregtisë për vitin 2024.
Vlerësimi ka rënë në 46.47 pikë, duke treguar një përkeqësim të lehtë krahasuar me vitin 2023 dhe mbetet nën mesataren e pritshme.
Problemet kryesore që përmenden janë konkurrenca e pandershme për shkak të monopoleve në treg, informaliteti i lartë, burokracitë komplekse dhe ndryshimet e shpeshta në sistemin fiskal.
Gjithashtu, bizneset hasin vështirësi në gjetjen e stafit të kualifikuar lokal.
Duke theksuar rëndësinë e këtyre çështjeve, Dhoma Amerikane po punon me institucionet shtetërore dhe parlamentin për të sjellë ndryshime që do të përmirësojnë klimën e biznesit dhe do të rrisin interesin e investitorëve të huaj në Shqipëri.