Mesfushori i Kombëtares shqiptare, Medon Berisha, është i vendosur që të jetë një nga protagonistët e Leçes në sezonin e ri të Serisë A.
Në një prononcim për mediat e klubit italian, ai u shpreh se dëshira kryesore është të shmangë dëmtimet që e penalizuan gjatë sezonit të kaluar.
“Faza përgatitore ka shkuar mirë, kemi punuar fort. Jemi gati për kampionatin. Miqësoret na kanë ndihmuar të hyjmë në ritëm”, tha Berisha, duke shtuar se trajneri Di Françesko ka sjellë ide të reja në skuadër, veçanërisht në mënyrën si mesfushorët afrohen në zonën kundërshtare.
Berisha theksoi se objektivi personal është të luajë më shumë ndeshje dhe të japë ndihmesën e tij për të siguruar sa më shpejt mbijetesën e Leçes në elitën e futbollit italian.









