Steve Witkoff, i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Lindjen e Mesme, vizitoi sot Plazën e Pengjeve në Tel Aviv, ku u takua me familjarë të atyre që mbahen ende peng nga Hamasi në Rripin e Gazës.
Ai u mirëprit nga protestues të shumtë që po kërkojnë zgjidhje të menjëhershme për lirimin e të afërmve të tyre.
Familjarët kishin vendosur një gardh simbolik me tela me gjemba dhe fotografi të pengjeve, si formë proteste për të treguar gjendjen e rëndë dhe për të kërkuar veprim konkret nga autoritetet izraelite dhe SHBA.
Në një deklaratë, ata theksuan se koha për një marrëveshje është tani dhe kërkuan fundin e luftës dhe kthimin e të dashurve të tyre në shtëpi.
Aktualisht, sipas të dhënave izraelite, Hamasi mban ende 50 persona peng, nga të cilët 27 dyshohet se kanë humbur jetën.
Witkoff u takua gjithashtu me kryeministrin Benjamin Netanyahu, takim që Shtëpia e Bardhë e përshkroi si “shumë produktiv”.