Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Serbisë e ka dënuar vendimin kundër Millorad Dodikut, presidentit të Republikës Sërpska, entitet serb i Bosnje-Hercegovinës, duke e quajtur atë “goditje serioze politike për popullin serb në Republikën Sërpska dhe Marrëveshjen e Dejtonit”.
Dodiku është dënuar me 1 gusht me një vit burgim dhe gjashtë vjet ndalesë për mbajtje të ndonjë pozite publike, për mosrespektim të vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë në Bosnje-Hercegovinë.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka thënë pas mbledhjes së Këshillit më 2 gusht se Këshilli ka vlerësuar se këto vendime “përbëjnë faktor destabilizues për sigurinë” dhe që “situata e sigurisë në rajon është minuar seriozisht”.
Ai ka thënë se Dodiku nuk do të arrestohet në Serbi, nëse do të shkonte atje.
Avokati i Dodikut, Goran Bubiq ka thënë pas vendimit se atë do ta apelojë në Gjykatën Kushtetuese të Bosnje-Hercegovinës, me qëllim të sfidimit të tij.
“Ne do të kërkojmë edhe masë të përkohshme për bllokim të ekzekutimit të vendimit derisa ta marrë vendimin Gjykata Kushtetuese e Bosnje-Hercegovinës”, ka thënë Bubiq në një konferencë për media më 1 gusht në Banjallukë, duke thënë se këta janë hapat që mund të merren që rasti më pas të apelohet edhe në Gjykatën Evropiane për të Drejta të Njeriut.
Në konferencën e njëjtë për media, Dodik ka thënë se nuk e pranon vendimin dhe as veprën penale për të cilën është dënuar.
Kurti do të përpiqet ta diskreditojë sërish Listën Serbe”
Presidenti serb ka thënë se në mbledhje është diskutuar edhe për situatën e ndërlikuar në Kosovë, veçanërisht në lidhje me përgatitjet për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
“Kurti do të përpiqet sërish ta diskreditojë Listën Serbe dhe t’i imponojë përfaqësuesit e tij shqiptarë, të cilët nuk mund t’i marrin as dy apo tre për qind të votave. Megjithatë, edhe me ata, bashkësia ndërkombëtare deri tani ia ka mundësuar të qeverisë me komunat me shumicë serbe në Kosovë. Ne do t’i vazhdojmë aktivitetet tona dhe nesër do t’i njoftoj për këtë disa nga përfaqësuesit më të rëndësishëm të botës dhe Evropës, me të cilët do të bisedoj në telefon,” ka deklaruar Vuçiq.
Lista Serbe është partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.
Sipas tij, Serbinë e pret një “luftë e vështirë për mbijetesën e popullit tonë në Kosovë dhe Metohi”, ndonëse situata edhe më shqetësuese është ajo në Bosnjë e Hercegovinë.
“Më së shumti më frikëson ajo që po ndodh në Bosnjë e Hercegovinë, sepse disa mendojnë se mund të marrin çfarëdo vendimi, se kjo është normale dhe se të gjithë të tjerët duhet vetëm të shikojnë në qiell, të heshtin dhe të mos guxojnë të thonë asnjë fjalë kundër,” ka deklaruar Vuçiq./REL









