Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka bërë të ditur se i ka dhënë Rusisë një afat deri më 8 gusht për të ndalur sulmet në Ukrainë dhe për të arritur një marrëveshje armëpushimi.
Në një intervistë për Newsmax, Trump paralajmëroi se nëse deri atëherë nuk ka progres, SHBA do të vendosë sanksione të reja ndaj Moskës.
“Fola gjatë me Putinin dhe patëm një bisedë të shkëlqyer,” tha Trump. “Por pastaj u ktheva në shtëpi dhe pashë që raketat kishin rënë mbi Kiev dhe qytete të tjera, duke vrarë njerëz. Mendova se e kishim zgjidhur disa herë, por duket se ai ende po përpiqet të marrë gjithçka.”
Trump shtoi se ndonëse mendimi i tij për presidentin rus nuk ka ndryshuar, është i befasuar nga zhvillimet e fundit.
“Kemi pasur disa biseda të mira që mund të kishin çuar drejt një zgjidhjeje, por më pas shpërthyen sërish bombardimet,” përfundoi ai.