Prokuroria e Fierit ka zbardhur detajet në lidhje me vrasjen e 56-vjeçarit Anesti Rama në fshatin Frashër. Në fillim Anesti Rama është dërguar në spitalin e Fierit pasi ambulanca e gjeti të pajetë atë në sallonin e shtëpisë, i veshur me kostum dhe këmishë.
Sipas hetimeve rezultoi se trupi i viktimës kishte dëmtime të dukshme në fytyrë dhe në pjesën ballore të kokës.
Në fillim familjarët pretenduan se 56-vjeçari ishte rrëzuar në tualet. Sipas deklarimeve të së bijës, Emanilda Rama dhe bashkëshortes Valbona Rama, ato e kishin gjetur pa shenja jete në tualet dhe më pas e kishin pastruar dhe veshur për qëllime ceremoniale, duke pastruar edhe vendin e ngjarjes.
Më pas nga hetimet e tjera Prokuroria arrestoi të bijën Emanilda Rama, të dyshuar për “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare” në bashkëpunim, si dhe Valbona Rama, për “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Gjithashtu edhe Çlirim Dogani, i dyshuar për bashkëpunim në vrasje, pasi dyshohet se kishte raport intim me vajzën e viktimës. Prokuroria kërkoi dhe mori miratimin nga gjykata për masën e sigurisë “arrest në burg” për të tre personat nën hetim.








