Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko doli në një konferencë mbi vendimmarrjen e politikës monetare. Sejko u shpreh se ekonomia, punësimi dhe pagat po rriten, kurse inflacioni është në nivele të ulta.
“Inflacioni i çmimeve të konsumit shënoi nivelin mesatar 2.3% në tremujorin e dytë të vitit, duke regjistruar një rritje të lehtë dhe të pritur krahasuar me tremujorin e parë. Megjithatë, edhe pas kësaj rritjeje, norma e inflacionit vijon të qëndrojë nën objektivin tonë prej 3%. Në këndvështrimin e artikujve të shportës së konsumit, rritja e inflacionit u diktua nga rritja më e shpejtë e çmimeve të ushqimeve dhe të qirave, ndërkohë që inflacioni i artikujve të tjerë të shportës ishte relativisht i qëndrueshëm.
Në këndvështrimin makroekonomik, ecuria e inflacionit pasqyroi rritjen e njëkohshme të inflacionit bazë dhe jobazë. Inflacioni bazë u rrit nga niveli 2.4% në tremujorin e parë në nivelin 2.6% në tremujorin e dytë, si pasojë e stabilitetit në rritje të kursit të këmbimit dhe e presionit të vazhdueshëm që rritja e shpejtë e pagave ka sjellë në inflacion. Paralelisht me të, edhe inflacioni jobazë shënoi rritje, por ajo u amortizua pjesërisht nga ngadalësimi i ritmit të rritjes së çmimeve në partnerët tanë tregtarë.”, tha Sejko.