Avokatura e Shtetit ka dalë me një reagim pas ndërhyrjes së policisë në ambientet e News24, duke theksuar se bëhet fjalë për një pronë shtetërore që po mbahet pa titull ligjor prej më shumë se tre vitesh.
Pas përfundimit të kontratës së qirasë në maj 2022, Ministria e Financave i kërkoi News24 lirimin e ambienteve, por kompania nuk u largua vullnetarisht dhe nisi procese gjyqësore që janë rrëzuar në të gjitha shkallët.
Vendimi i fundit i Gjykatës së Apelit Administrativ, më 14 korrik 2025, konfirmoi lirimin e menjëhershëm të ambientit.
Shteti ka kaluar pronën në përdorim të shoqërisë “KAYO” sh.a., për projekte strategjike që lidhen me industrinë ushtarake dhe sigurinë kombëtare.
Avokatura thekson se do të vazhdojë të përdorë të gjitha mjetet ligjore për të mbrojtur pasuritë shtetërore dhe për të zbatuar vendimet e gjykatës.