Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka njoftuar se ditën e nesërme, në orën 07:30, do të shembet një objekt trekatësh i ndërtuar pa leje pranë aksit rrugor Vlorë-Orikum.
Sipas njoftimit ky aksion do të zhvillohet në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes, Forcat Xheniere të Forcave të Armatosura dhe Policinë e Shtetit.
Gjithashtu IKMT njofton se janë marrë të gjitha masat e nevojshme dhe do të bllokohet përkohësisht aksi rrugor Vlorë–Orikum, si dhe do të ndërprehet furnizimit me energji elektrike 15 minuta përpara shpërthimit.
“Gjithashtu, janë marrë masat për praninë e mjeteve zjarrfikëse, ambulancave dhe personelit përkatës.
Të gjithë pronarët e objekteve pranë perimetrit të sigurisë janë njoftuar, duke kërkuar bashkëpunimin e tyre dhe duke i informuar për masat mbrojtëse që duhet të ndërmarrin për të shmangur dëmtime të mundshme.
IKMT kërkon mirëkuptimin e qytetarëve dhe bizneseve që operojnë në këtë zonë. Ju sigurojmë se, në bashkëpunim me strukturat ligjzbatuese, do të vijohet me ndërhyrjet me forcën e ligjit ndaj çdo ndërtimi pa leje në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.”, thuhet në njoftim.








