Zëvendëskancelari, Ministri i Financave dhe kreu i Partisë Socialdemokrate (SPD) Lars Klingbeil la të hapur mundësinë e pjesëmarrjes së Gjermanisë në forcat e mundshme që do të ndërmarrin zbatimin e garancive të sigurisë për Ukrainën, megjithatë, duke theksuar arritjen e një armëpushimi si qëllimin kryesor.
“Pas armëpushimit, gjithçka mund të diskutohet, përfshirë garancitë evropiane të sigurisë për Ukrainën“, tha politikani socialdemokrat në intervistën e tij në kanalin e dytë të televizionit publik gjerman ZDF.
Kur u pyet nëse Gjermania dhe Evropa duhet të dërgojnë trupa në Ukrainë për të siguruar paqen, ai tha: “Sigurisht, ne gjithashtu duhet të marrim përgjegjësi si evropianë kur bëhet fjalë për garancitë e sigurisë, qofshin ato trupa, trajnimi i ushtrisë ukrainase, ndihma financiare apo çështje të tjera, gjithçka duhet të sqarohet në ditët në vijim“.
“Garancitë e sigurisë janë një element qendror i një zgjidhjeje të negociuar“, shtoi ai.
I pyetur nëse, si ministër i Financave, do të donte të kishte akses në asetet ruse të “ngrira” në Perëndim, Klingbeil tha: “Emocionalisht po, por ligjërisht është shumë e vështirë”.









