Sot Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit të Bashkisë së Tiranës nisi aksionin për lirimin e hapësirave publike të uzurpuara në zonën e Kombinatit.
Aksioni u zhvillua përgjatë rrugës kryesore nga “Misto Mame” deri në kthesën e Vaqarrit dhe u ndoq nga nënkryetari i Bashkisë Blendi Sulaj dhe drejtori i Kontrollit të Territorit Klajdi Meçi.
Në një deklaratë nënkryetari Sulaj shpjegoi se ky aksion ka ardhur si përgjigje ndaj ankesave të shumta të banorëve për uzurpimin e lulishteve dhe hapësirave publike nga subjekte private.
Ai theksoi se ky aksion është vetëm një hap i një plani katërvjeçar që ka si objektiv rikthimin e hapësirave publike për qytetarët.
Gjithashtu Sulaj njoftoi se lulishte e Kombinatit do të lirohet dhe shndërrohet në park brenda dy ditësh.









