Volodymyr Zelenskyy ka vizituar përsëri Shtëpinë e Bardhë për një takim me Donald Trump, me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje për luftën në Ukrainë, dhe BBC ka paraqitur pikat kryesore nga bisedimet.
Sipas BBC-së, pavarësisht deklaratave pozitive të Trumpit dhe vlerësimeve të kujdesshme të evropianëve, bisedimet nuk dhanë angazhime konkrete për garanci sigurie apo hapa drejt një marrëveshjeje paqeje.
Pas takimit, Trump postoi një mesazh në Truth Social, ku tha se i kishte telefonuar Putinit për të diskutuar mundësinë e një takimi me Zelenskyn. Trump tha se, pas këtij takimi dypalësh, do të pasonte një takim trepalësh në të cilin ai vetë do të merrte pjesë.
Sipas BBC-së, këtë herë, Zelensky ndoqi një qasje më diplomatike, duke u përpjekur të riparonte marrëdhëniet e tij me Donald Trump. Ai e filloi takimin duke shprehur mirënjohje për ndihmën e SHBA-së, ndërsa tha “faleminderit” disa herë gjatë bisedës.
Gjatë takimit, Presidenti ukrainas i dorëzoi Trump një letër nga Zonja e Parë e Ukrainës Olena Zelenska drejtuar Zonjës së Parë të SHBA-së Melania Trump, një veprim që nënvizoi dëshirën për lidhje më të ngushta.









