Tridhjetë vende po punojnë mbi një kornizë për t’i ofruar garanci sigurie Ukrainës, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte, duke theksuar se Shtetet e Bashkuara tani janë gati t’i bashkohen iniciativës.
Duke folur për Fox News pas bisedimeve në Shtëpinë e Bardhë midis Presidentit të SHBA-së Donald Trump, Presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe udhëheqësve evropianë, Rutte i quajti kontaktet “shumë të suksesshme” dhe vuri në dukje se vendet tani po përqendrohen në garancitë e sigurisë për Kievin pas një armëpushimi, ose mundësisht një marrëveshjeje paqeje midis Ukrainës dhe Rusisë.
“Gjatë dy muajve të fundit, nën udhëheqjen e kryeministrit britanik Keir Starmer dhe presidentit francez Emmanuel Macron, një grup prej më shumë se 30 vendesh, përfshirë Japoninë dhe Australinë, ka punuar mbi këtë ide të garancive të sigurisë”, tha Rutte.
Ai shtoi: “Ajo që SHBA-të kanë tani është se duan të përfshihen në këtë. Në ditët në vijim do të ketë një diskutim rreth asaj se çfarë nënkuptohet saktësisht me përfshirjen e SHBA-së.”
Çfarë forme mund të marrin garancitë e sigurisë amerikane për Ukrainën?
Në analizën e tij, gazetari i BBC-së, Frank Gardner, rendit katër skenarë në lidhje me formën që mund të marrin garancitë e sigurisë amerikane për Ukrainën:
Forcat tokësore: Ky konsiderohet skenari më pak i mundshëm, pasi Donald Trump e sheh luftën Ukrainë-Rusi si një problem evropian. Për presidentin amerikan, vendosja e trupave tokësore, madje edhe në një rol paqeruajtës, do të shënonte një ndryshim të rëndësishëm në qëndrim.
Patrullat ajrore dhe detare: Ky skenar duket më realist. SHBA-të kanë kryer tashmë fluturime mbikëqyrëse për të monitoruar përparimin e luftës. Por ekziston një ndryshim i madh midis fluturimeve të zbulimit ose patrullave detare jo-konfrontuese dhe një konflikti të armatosur me një fuqi bërthamore si Rusia.
Ofrimi i inteligjencës Ukrainës: Inteligjenca e mbledhur nga satelitët dhe avionët amerikanë ka rezultuar jetësore për përpjekjet e Ukrainës për të ndaluar përparimin e forcave ruse. Në rast të një marrëveshjeje paqeje që është e pranueshme për të gjitha palët, kjo është një fushë ku Shtetet e Bashkuara ka të ngjarë të jenë të gatshme të ndihmojnë.
Mbështetje logjistike: Cilado qoftë forma që do të marrë në fund të fundit “forca paqësore” e udhëhequr nga britanikët dhe francezët në Ukrainë në rast të një marrëveshjeje paqeje, ajo do të ketë nevojë për shumë mbështetje logjistike – dhe kjo është një fushë në të cilën Uashingtoni ka të ngjarë të jetë i gatshëm të ndihmojë.