Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, ka akuzuar aleatët evropianë të Ukrainës për përpjekje të qëllimshme për të sabotuar përparimin e bërë, sipas tij, në takimin mes Vladimir Putinit dhe Donald Trump në Alaska.
Në një deklaratë për mediat, Lavrov tha se “grupi i vendeve që mbështesin Kievin” po përpiqet të shmangë zgjidhjen e shkaqeve rrënjësore të luftës dhe të imponojë agjenda të reja që bien ndesh me negociatat e mëparshme, si ato në Stamboll në vitin 2022.
Ai kritikoi gjithashtu përpjekjet ndërkombëtare për të diskutuar garanci sigurie për Ukrainën pas luftës, duke i cilësuar si “të pashpresa”.
Lidhur me një takim të mundshëm mes Putinit dhe presidentit ukrainas Zelensky, Lavrov tha se Putin është i gatshëm, por ngriti dyshime mbi “legjitimitetin” e udhëheqjes në Kiev, duke përmendur mospërfundimin e zgjedhjeve presidenciale në Ukrainë për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme.