Ministria e Mbrojtjes së Lituanisë ka shpallur një zonë ndalim-fluturimi pranë kufirit me Bjellorusinë, në afërsi të kryeqytetit Vilnius, pas disa shkeljeve të hapësirës ajrore nga dronë që besohet se vinin nga territori bjellorus.
Zona ndalohet për çdo fluturim nga toka deri në 12,000 këmbë lartësi, dhe mbulon një shtrirje 90 km të kufirit lindor të vendit.
Masa u mor për shkak të kërcënimeve të rritura ndaj sigurisë dhe rrezikut që i kanoset aviacionit civil.
Forcat e armatosura lituaneze do të kenë autoritetin të ndërhyjnë në rast shkeljesh të reja ajrore.
Kujtojmë se më 28 korrik një dron i armatosur me eksploziv u rrëzua në një zonë stërvitjeje ushtarake pranë Vilniusit, ndërsa një tjetër dron kaloi ilegalisht kufirin më 10 korrik, duke shkaktuar alarm në nivel të lartë mes autoriteteve.
Vilniusi ndodhet vetëm 30 kilometra nga kufiri me Bjellorusinë, aleatin e ngushtë të Rusisë, ndaj incidentet e fundit kanë shtuar ndjeshëm tensionet dhe masat e sigurisë në rajon.