Kryeministri Edi Rama ka nisur ditën duke ndarë pamje nga kantieri i Muzeut Kombëtar Arkeologjik të Durrësit, ku po vijojnë punimet për rikonstruksionin e këtij objekti historik.
Sipas kreut të qeverisë, puna në muze do të përfundojë brenda sezonit të vjeshtës, duke e kthyer atë në një atraksion të rëndësishëm kulturor dhe turistik për qytetin e Durrësit dhe për gjithë Shqipërinë.
“Thesaret e historisë me mbi 2400 objekte arkeologjike do t’i rikthehen Durrësit dhe gjithë Shqipërisë.
Në pavione moderne dhe kushte bashkëkohore, muzeu do të jetë një hapësirë erëtheqëse për vizitorët dhe një pikë referimi e turizmit kulturor”, u shpreh Rama në mesazhin e tij.
Përfundimi i punimeve dhe rindërtimi i muzeut pritet të sjellë një frymë të re në sektorin kulturor dhe të përforcojë ofertën turistike të qytetit bregdetar.