Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, gjatë një eventi për mbrojtjen e sovranitetit kombëtar, kritikoi ashpër vendosjen e trupave amerikane në Karaibe, duke e cilësuar atë si një “plan imoral, kriminal dhe të paligjshëm” që synon ndryshimin e regjimit dhe një sulm ushtarak terrorist ndaj Venezuelës.
Maduro theksoi se çdo kërcënim ndaj Venezuelës është kërcënim për gjithë Amerikën Latine dhe Karaibet dhe bëri thirrje për mobilizim të gardës kombëtare dhe rezervistëve për të përballuar kërcënimet nga Shtetet e Bashkuara.
Administrata amerikane ka njoftuar një operacion kundër trafikut të drogës në Karaibe, që përfshin vendosjen e anijeve dhe mijëra ushtarëve pranë Venezuelës.
Ndërkohë, SHBA-ja nuk njeh rezultatet e zgjedhjeve të fundit presidenciale në Venezuelë, duke akuzuar Maduron për lidhje me organizata kriminale, akuza këto të mohuara nga qeveria e Karakasit.








