(R.I.P. Artur Zheji)
Unë po ngisja një furgon të vogël. Dhjetë artistë po i vozisja ngadalë natën, pas koncertit në Romë. Krah furgonit, nga ana ime, Artur Zheji ecte me një motoçikletë të vogël, që mezi e mbante trupin e tij të bujshëm. Po na çonte në një piceri shqiptarësh, në një lagje romake.
Ishte i veshur thjeshtë, i parruar, i djersitur, me flokët e yndyrshëm që i ngjiteshin ballit. Viti 1999, vetëm një javë para se të përfundonte Rambujeja. Atë natë ai ishte më shumë se i mallëngjyer. Nga xhami i hapur i bërtisja:
– Ruaju se po të shkelin veturat! Lëri artistët, këta janë të çmendur!
– Jam i biri i Besa Imamit, nip gjakovar jam, o Çun Rugova! – më thoshte nga jashtë, ndërsa më jepte shenjë me dorë se ku do të kthenim.
Atë natë Artur Zheji po fluturonte nga gëzimi, edhe pse i ngashëryer nga “plisi mbushur me dhe Kosove” që e deklamova me miliona emocione! U ndamë pas orës dy të natës, për t’u takuar në Kosovën e lirë, menjëherë pas kthimit të refugjatëve, në hotelin “Grand” të Prishtinës.
– Jam biri yt, Kosovë! – më tha, kur më mori në përqafim, duke më uruar lirinë e shumëpritur.
Tani, nipi gjakovar, i biri i artistes së madhe Besa Imami – që pata fatin ta shoh në skenë – iku pa më marrë ngrykë edhe një herë në Tiranë, qytetin që e deshi më shumë se vetveten!
Prehu në paqe, pranë nënës Besë, bijës gjakovare, ti mik i mirë, që kurrë më nuk do të takohemi – as në Romë, as në Tiranë, as në Prishtinë!
Prishtinë, 24.08.2025