Në vitin 2020, shkalla e zëvendësimit për pensionet urbane të pleqërisë ishte 37.6%, por kjo ka rënë ndjeshëm në 31.2% në vitin 2024, një rënie prej 6.4 pikë përqindje në pesë vjet. Kjo do të thotë se pensionistët në qytete marrin gjithnjë e më pak për të kompensuar të ardhurat që kishin gjatë periudhës aktive të punës.
E njëjta tendencë vërehet edhe në zonat rurale, ku shkalla e zëvendësimit ka rënë nga 35.7% në vitin 2020 në 29.7% në vitin 2024. Në vitin 2023 dhe 2024, për herë të parë, kjo shkallë ra nën nivelin 30%. Në vitin 2024 paga mesatare mujore bruto shënoi 79,500 lekë me rritje 47% nga viti 2020. Ndërsa pensioni mesatar urban në vitin 2024 ishte 19,609 lekë me rritje 24% nga viti 2020.
Kjo prirje është veçanërisht shqetësuese në kushtet e plakjes së popullsisë dhe uljes së kontributeve në sistemin e sigurimeve shoqërore. Një shkallë më e ulët zëvendësimi nënkupton që të moshuarit po përballen me sfida të mëdha për të ruajtur standardin e jetesës pas daljes në pension. Rënia e shkallës së zëvendësimit është një tregues i dobësimit të rolit mbrojtës të sistemit publik të pensioneve.
Në mungesë të reformave të qëndrueshme, pensionet nuk po arrijnë të ruajnë një lidhje të mjaftueshme me të ardhurat reale dhe inflacionin, duke i lënë pensionistët gjithnjë e më të pambrojtur financiarisht. Rënia e shkallës së zëvendësimit të pensioneve ka pasoja të drejtpërdrejta dhe të ndjeshme mbi cilësinë e jetës së pensionistëve, të cilat prekin aspektet ekonomike./ Monitor








