Mëngjesin e së martës është hapur njëra prej dy urave që Qeveria në detyrë e Kosovës nisi t’i ndërtojë muaj më parë mbi lumin Ibër, i cili e ndan Mitrovicën në jugun e banuar me shqiptarë dhe në veriun e banuar me serbë.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, shkroi në Facebook se “më pak se dy muaj u deshën për të ngritur urën e 36-të në Kosovë mbi lumin Ibër”. “Ura për kalimin e automjeteve nga sot prej orës 9:00 është hapur për qarkullim”, shkroi ai.
Më herët, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, publikoi një fotografi të veturave duke kaluar mbi urën e re dhe shkroi: “Të dashur qytetarë të Mitrovicës dhe gjithë Kosovës, urime ura e re”.
Autoritetet kosovare e filluan ndërtimin e dy urave në të dy krahët e urës kryesore mbi lumin Ibër, me gjithë kundërshtimet nga serbët lokalë dhe reagimet e bashkësisë ndërkombëtare.
Qeveria e Kosovës ka thënë vazhdimisht se ndërtimi i këtyre urave – njëra për këmbësorë dhe tjetra për automjete – ka për qëllim t’i lidhë Mitrovicën e Veriut me Mitrovicën e Jugut, qytet i ndarë etnikisht që nga paslufta.
Sveçla njofton për hapjen e urës së re për makinat mbi lumin Ibër