KFOR ka reaguar lidhur me arrestimin e pilotit kroat dhe partneres së tij serbe, të dy të dyshuar për spiunazh. Në një përgjigje për Dukagjinin, forcat ndërkombëtare kanë deklaruar se marrin shumë seriozisht akuzat dhe se siguria e personelit të KFOR-it dhe integriteti i informacionit të klasifikuar janë prioritet.
“Ne i marrim këto akuza shumë seriozisht. Siguria e personelit të KFOR-it dhe integriteti i informacionit të klasifikuar janë parësore. Ju referoj autoriteteve kroate për çdo koment mbi arrestimet dhe hetimet në vazhdim.
KFOR-i vazhdon të kryejë aktivitetet e tij të përditshme, në përputhje me mandatin e tij të gjatë të OKB-së për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë, në koordinim me Policinë e Kosovës dhe misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it.
Ana Murganiç dhe piloti kroat janë arrestuar në Kroaci për dyshime për spiunazh në favor të Listës Serbe. Të dy janë në paraburgim, ndërsa hetimi zhvillohet nga autoritetet kroate. Qeveria e Kosovës ka hedhur poshtë pretendimet se Murganiç ka pasur qasje në informacion konfidencial nga Zyra e Kryeministrit dhe ka garantuar bashkëpunim të plotë me Kroacinë.
E dyshuara për spiunazh i dërgoi mesazhe “Mamit”, të dyshuarit për sulmin terrorist në Banjskë. Serbja e Kosovës Ana Murganiç që gjendet në paraburgim në Kroaci së bashku me të dashurin e saj, pilotin ushtarak kroat J.I. (54), dyshohet se i ka dërguar mesazhe Vladimir Radivojeviqit, të njohur me nofkën “Mami”, raporton “Index.hr”. “Mami” njihet si lider i “Brigadës së Veriut”, që është shpallur organizatë terroriste në Kosovë.
Spiunazhi në Kosovë/ E dashura e pilotit SMS ‘Mamit’ pas sulmit në Banjskë: Sqarohu!