Incidente mes tifozëve shqiptarë dhe huliganëve polakë mbrëmë në Tiranë.
Disa persona janë arrestuar pas incidenteve të ndodhura pas sfidës mes Dinamos dhe Jagellonias mbrëmë në stadiumin Air Albania.
Incidentet kanë vijuar nga përplasja mes tifozëve deri tek përdhosja e përmendores së Skënderbeut nga disa huliganë polakë.
Policia ka arrestuar disa tifozë shqiptarë, kryesisht për goditjen ndaj autobusëve në afërsi të Vorës, por asnjërin nga polakët.
Njoftimi i policisë
Penguan qarkullimin e automjeteve dhe gjuajtën me sende të forta 3 autobusë që transportonin tifozët e një ekipi futbolli, identifikohen 5 shtetas. Vihen në pranga 3 prej tyre, procedohen në gjendje të lirë 2 të tjerë.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 7, në bashkëpunim me shërbimet e Sektorit të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, arrestuan në flagrancë shtetasit A. M., 32 vjeç, K. S., 29 vjeç dhe Sh. S., 30 vjeç, dhe referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për 2 shtetas të mitur 17 vjeç.
Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, pas mesnate, në aksin rrugor “Qafë Kashar – Rinas”, kanë penguar qarkullimin e automjeteve dhe kanë gjuajtur me sende të forta, 3 autobusë që transportonin tifozët e një ekipi futbolli.
Punohet për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë rast.