Partia më e madhe e serbëve të Kosovës, Lista Serbe, njoftoi të shtunën se është ankuar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës kundër votimit ndaras për zgjedhjen e nënkryetarëve nga komunitetet pakicë gjatë seancës konstituive.
Në prag të takimit të Kuvendit për zgjedhjen e nënkryetarit serb, Lista Serbe njoftoi në Facebook se deputetët e saj dorëzuan sot një ankesë në Gjykatën Kushtetuese “për shkak të shkeljes së rëndë të të drejtave të popullit serb në seancat e kuvendit në Prishtinë”.
“Parimet kushtetuese dhe demokratike janë cenuar rëndë, ndërsa popullit serb i është pamundësuar ushtrimi i të drejtave të tij të garantuara”, thuhet në njoftim.
Ajo tha se pret nga gjykata më e lartë e vendit “të reagojë menjëherë dhe të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për mbrojtjen e sundimit të ligjit, si dhe të drejtave të popullit serb në përputhje me aktet juridike në fuqi”.
Ankesa e partisë së serbëve të Kosovës që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar erdhi pasi kryetari i porsazgjedhur i Kuvendit, Dimal Basha, i hodhi në votim ndaras nënkryetarët e pakicave dhe më pas përdori shortin për kandidatët për nënkryetarin serb.