E shtuna, sot, mund të jetë dita e fundit që Kuvendi voton përmes shortit për të zgjedhur nënkryetarin nga radhët e komunitetit serb. Deputetët sot mund të përballën me vetëm tri opsione. Në votim mund të nxirren dy deputetë të Listës Serbe – Igor Simiq e Miljana Nikoliq – si dhe ai i Partisë së Pavarur Liberale, Nenad Rashiq. E Rashiqi, që ka marrë më së shumti vota si kandidat i komunitetit serb, ka vetëm një votim të mundshëm në dispozicion.
Në këtë seancë, Kuvendi mund t’i konsumojë të gjitha kandidaturat e mbetura të deputetëve të komunitetit serb për postin e nënkryetarit të pestë. Pa një kandidat të mbetur për votim, Kuvendi nuk do të ketë arsye për mbajtje të seancave të tjera, pasi që pika e vetme e rendit të ditës është ajo e zgjedhjes së nënkryetarit serb.
Për ta shmangur një situatë të tillë, në Institutin e Kosovës për Drejtësi, që e bën monitorimin e punës së Kuvendit, kanë rekomanduar që në seancën e radhës, kryetari Dimal Basha ta përsërisë votimin në pako të të dy nënkryetarëve nga komunitetet pakicë.
Melos Kolshi nga ky Institut, ka thënë se kjo mënyrë do t’i rikuperonte shkeljet kushtetuese që i ka konsumuar kryetari Basha, me ndarjen e procedurës së votimit për nënkryetarët e pakicave.