Këshilltari i PD-së në bashkinë e Tiranës, Ilir Alimehmeti deklaroi sot se Këshilli Europian ka afruar me një vit misionin monitorues në vendin tonë, duke marrë shkas sipas tij dhe nga dorëheqjet masive në bashkitë e vendit, pas ultimatumit të kryeministrit Edi Rama.
“Në përgjigje të ndërhyrjeve antikushtetuese, antiligjore dhe kundër Kartës Europiane të pushtetit lokal nga ana e qeverisë, pas përpjekjeve dhe takimeve të shumta me diplomatë dhe partnerë ndërkombëtarë Këshilli i Europës (Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale) vendosi afrimin me një vit të datës së monitorimit të implementimit të Kartës Europiane në Shqipëri në vjeshtën e këtij viti, ndërkohë që ishte parashikuar për vitin 2026. Hap pas hapi, e drejta do të vijë në vend me punë, mund dhe djersë! Kokën lart dhe fundjavë të mbarë miq” shkruan ai.