Një stuhi e papritur ka përfshirë Shqipërinë gjatë ditës së sotme, duke shkaktuar dëme të shumta në Tiranë dhe disa qytete të tjera.
Erërat e forta dhe shiu kanë rrëzuar pemë, dëmtuar objekte metalike dhe shkaktuar bllokime në akset kryesore të vendit.
Në Tiranë, janë raportuar 20 persona të plagosur lehtë, ndërsa qarkullimi është vështirësuar në disa zona si ish-stacioni i Trenit, Shkolla e Bashkuar dhe Kombinat.
Po ashtu, aeroporti i Rinasit ka patur vonesa dhe anulime fluturimesh për shkak të kushteve të keqësuara të motit.
Qyteti i Vlorës dhe Lezha gjithashtu kanë pësuar përmbytje dhe dëme nga reshjet e dendura, duke shkaktuar trafik të rënduar dhe ndërprerje të energjisë elektrike në disa zona.
Në Durrës, u raportua edhe për një incident me tragetin “Francesca”, ku kablli lidhës iu shkëput nga kalata, por fatmirësisht nuk pati pasoja të tjera.
Në Sarandë, dalja në det u ndalua për mjete turistike dhe peshkarexha, ndërkohë që flamujt e kuq janë ngritur si paralajmërim për pushuesit.
Instituti i Gjeoshkencave ka njoftuar se reshjet intensive do të vazhdojnë edhe gjatë fundjavës.








