Nuk ka dyshim që agresioni rus mbi Ukrainën është më shumë se një konflikt mes dy shteteve sovrane, është një luftë e mirëfilltë ndër-shtetërore mes dy shteteve të rëndësishëm që zhvillohet si një teatër i plotë luftimesh konvencionale dhe që përfshin një sërë elementësh, teknikash, strategjish dhe taktikash luftarake që janë klasike por njëherazi duke pasur dhe risi të rëndësishme përsa i përket luftës moderne. Te këto të fundit mund të rendisim atë që shefi i shtabit të ushtrisë ruse gjenerali Gerasimov dikur i quante luftëra që nuk kanë as fillim, as fund, luftëra që luftohen në fushë-betejë aq edhe në mjedise të tjera.
Kësisoj ndonëse Federata Ruse qysh prej fillimit e quajti këtë një “operacion special” nuk ka dyshim që ka qenë një luftë klasike sa për territor, aq për burime materiale, sa për ri-konfigurim rrethanash gjeopolitike përmes kërkesave për revizionim aq dhe për forcim aleancash ekzistuese në një botë gjithnjë e më shumë-polare. Gjithashtu kjo luftë ka pasur plot elementë risi të luftës hibride, apo luftërave të së ardhmes që përfshin shumëçka nga përdorimi i satelitëve si rrjeti starlink te dronëve për sabotazh, nga përdorimi i paramilitarëve si njësitë Wagner te dezinformimi, nga kërcënimi i përhapjes së konfliktit në vende të treta deri të përdorimi i spiunazhit teknologjik, krahas atij ushtarak dhe politik.
Fakti që aktori kryesor është Federata Ruse, një nga dy superfuqitë kryesore nukleare sot për sot, shteti me sipërfaqen absolute më të madhe në botë me rreth 2.9 milionë kilometra katrorë, e rankuar së fundmi si shteti i tretë më i fuqishëm në botë pas SHBA dhe Kinës nga prestigjiozja Forbes duke analizuar pesë faktorë kryesorë të tillë si ndikimi ekonomik, ndikimi politik, forca ushtarake, aleancat ndërkombëtare dhe lidershipi, e bëjnë këtë një konflikt gati të pamundur për të injoruar elefantin në dhomë. Por natyrisht Ukraina, ndonëse i dorëzoi bona fide armët bërthamore në memorandumin tashmë fatkeq të Budapestit të 1994 Rusisë në këmbim të ruajtjes së integritetit territorial, nuk është për t’u neglizhuar. Jo vetëm ka rezistuar për rreth 3 vjet e gjysëm një agresioni në shkallë të plotë nga një superfuqi si Rusia e ndihmuar dhe nga dronët iranianë dhe ushtarët koreano-veriorë, por dhe i ka shkaktuar humbje të konsiderueshme në fushë-betejë Rusisë pavarësisht se numrat janë gjithnjë objekt diskutimi dhe mosmarrëveshjesh.
Ukraina është shteti i dytë më i madh në Evropë nga sipërfaqja, pikërisht pas Rusisë me mbi 600 mijë kilometra katrorë duke lënë pas Francën etj., dhe sipas të njëjtit raport të fundit të Forbes renditet tashmë shteti i 14-të më i fuqishëm në botë, duke lënë pas Italinë. Njëkohësisht ka zhvilluar teknologji ushtarake të rëndësishme, trupat kanë përvojë nga luftimet disa vjeçare në terren duke përfshirë dhe konfliktin e mëparshëm për Krimenë, ka avancuar shpejt në rrugën e integrimit evropian dhe ka konsoliduar me shpejtësi një identitet sovran. Gjithashtu ka minerale të rralla që janë ndër asetet e vyera në tryezën e negociatave të ndërmjetësuara deri tani nga administrata Trump por edhe Turqia, Arabia Saudite etj.
Por si mund të vijë fundi i konfliktit. Teorikisht në fakt katër janë mundësitë e vetme me të cilat mund të përfundojë një konflikt në përgjithësi, përfshirë edhe konfliktin në fjalë. Kjo vjen ose nëpërmjet lodhjes reciproke dhe ku lufta thjesht pushon. Ose përmes pushtimit të plotë, ku njëra palë asgjëson ushtarakisht tjetrën, ose përmes ndërprerjes së luftës në mënyrë unilaterale nga njëra palë. Në fakt kjo e fundit është opsioni më pak i mundshëm i testuar empirikisht në të kaluarën. E fundit por më e shpeshta është paqja e negociuar. Kjo nënkupton që të dy palët arrijnë një marrëveshje më anë të së cilës i japin fund luftimit.
Këtë nënvizoi së fundmi dhe zv.presidenti amerikan Vance kur iu referua një zgjidhje realiste të konfliktit bazuar në përqindjen dërrmuese të evidencës qysh prej sa kanë ekzistuar luftërat. Kjo mund të arrihet përmes disa instrumentesh si traktatet e paqes bilaterale ose armëpushimeve të dyanshme. Mund të bëhet përmes deklaratave të përbashkëta të dakordësuar dhe të formalizuara përmes ndryshimeve kushtetuese (nëse lipset nevoja), përmes deklaratave zanore ose marrëveshjeve politike ose përmes marrëveshjeve të negociuara nga një palë e tretë e besueshme, si për shembull SHBA ose Turqia.
Praktikisht ka një plan konkret se si mund të përfundojë kjo luftë dhe duket se përtej fanfarës mediatike që kanë marrë elementët e stilit në takimet protokollare Trump-Putin në Alaskë apo Trump-Zelenski-liderë evropianë në Shtëpinë e Bardhë, burimet tregojnë për avancim të pozicioneve dhe rritje të shpresave për gjetjen e gjuhës së përbashkët në disa elementë qendrorë siç janë garancitë e sigurisë që kërkon Ukraina përkundër garancive të mosrrethimit strategjik nga NATO që kërkohet si pikë e panegociueshme nga Rusia, plus shkëmbimet territoriale, zonat e demilitarizuara, marrëveshja për mineralet e rralla etj.
Së fundmi raportohet për shembull për një zonë të gjerë të demilitarizuar rreth 20 km nga të dyja anët e konfliktit të ngrirë. Koreja e Jugut dhe ajo e Veriut kanë një situatë të ngjashme qysh prej 27 korrikut 1953 dhe ende nuk kanë një marrëveshje finale paqeje por kjo ka ndihmuar në stabilizimin e situatës pavarësisht tensioneve të herëpashershme. Së fundmi administrata Trump ka hedhur idenë e forcave paqeruajtëse kineze çka mund të jetë e pranueshme për Rusinë që ka refuzuar kategorikisht forca evropiane por edhe Ukrainën për garanci sigurie në vijën e frontit, me kushtin shoqërues që ushtarët ukrainas do të jenë vija e parë e mbrojtjes kundër pushtimit të ardhshëm rus.
Gjithashtu ka shumë të ngjarë qëSHBA-të do t’i japin inteligjencë Ukrainës dhe misionit paqeruajtës. Ndërsa është në negociata që ose NATO-s ose SHBA-së do t’i jepet komanda e misionit paqeruajtës. Më e mundur është kjo e dyta duke qenë se koncepti i NATOs është i papranueshëm për rusët dhe në mënyrë që presidenti Trump të shmangë kritikat në SHBA për përfshirje të Amerikës drejtpërdrejtë mendohet që të kontraktohen kompani private amerikane, çka në gjuhën e biznesit do të ishte një mundësi shumë e mirë njëkohësisht duke zbutur pakënaqësitë e opinionit publik. Pra një win-win nga Trump që artin e marrëveshjes e ka pikën e tij të fortë. Këta mercenarë privatë, një pjesë e mirë syresh amerikanë, natyrisht do të ishin një deterrent i fortë për Putin që të thyente një marrëveshje të arritur në të ardhmen.
Plani po diskutohet së bashku me një sërë garancish të tjera të ashtuquajtura sigurie – të hartuara nga koalicioni i të vullnetshmëve i udhëhequr nga Mbretëria e Bashkuar dhe Franca – që do të formojnë bazën e një plani afatgjatë paqeje. Detajet përfundimtare – të cilat përfshijnë policimin ajror, trajnimin dhe misionet detare në Detin e Zi ku Turqia pritet të luajë një rol kyç në sigurimin e rrugëve detare tregtare por do të përfshihen edhe Rumania dhe Bullgaria, janë një tjetër element i rëndësishëm sic raporton së fundmi The Telegraph. Nga ana tjetër, vendet evropiane janë zotuar tashmë të blejnë të paktën 10 miliardë dollarë në pajisje ushtarake të prodhuara në Amerikë për Kievin në javët e fundit. Ukraina ka paraqitur gjithashtu një propozim që do të shihte vendin të premtonte të blinte pajisje të tjera me vlerë 90 miliardë dollarë sapo të mbaronte lufta. Gjithashtu, departamenti i shtetit i SHBA-së ka miratuar tashmë një shitje të mundshme të raketave të lëshuara nga ajri dhe pajisjeve përkatëse për Ukrainën për një vlerë të vlerësuar prej 825 milionë dollarësh.
Kjo së bashku me marrëveshjen paralele të shfrytëzimit të përbashkët SHBA-Ukrainë të mineraleve të rrallaqë përcakton kushtet për investime të përbashkëta në burimet natyrore të Ukrainës, duke përfshirë jo vetëm to por edhe naftën dhe gazin, si dhe parashikon përpjekjet e rindërtimit, janë një incentivë e fortë e SHBA për t’u investuar si një garantues i fortë dhe i besueshëm i një marrëveshje paqeje afatgjatë dhe të qëndrueshme. Gjithsesi në ditët në vijim do të shohim se sa shanse ka për t’u materializuar dhe cila do të jetë përgjigja e Moskës dhe Kievit. Jetëzimi i saj do të ishte jo vetëm i rëndësishëm për t’i dhënë fund një prej teatrove më shkatërrues të luftës por edhe për të konsoliduar aleancat si NATO, për të garantuar kufijtë e jashtëm të BE-së, dhe për uljen e kostove të tregtisë globale çka do të sillte dhe një normalizim të tregjeve por edhe fokusim në kriza të tjera paralele si konflikti tragjik në Gaza, situata në përgjithësi në Lindjen e Mesme etj.








