Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan ka deklaruar se ka marrë sinjale pozitive për një mundësi të re takimi midis Rusisë dhe Ukrainës në Stamboll. Erdogan ka thënë se për këtë ka diskutuar me presidentin rus, Vladimir Putin gjatë samitit në Kinë dhe homologun ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Erdogan u tha gazetarëve se “përparimi i negociatave në një nivel më të lartë është rruga që dëshirojmë”.
“Qasja e të dyve, si e Zelensky-t ashtu edhe e Putinit, ishte pozitive. Kur përmendëm mundësinë e rifillimit të procesit të Stambollit me një nismë nga Turqia, përgjigjja ishte: ‘Pse jo’. Megjithatë, nuk janë ende plotësisht të gatshëm për këtë”, shtoi Erdogan.
Ai theksoi se Turqia që në fillim të luftës ka insistuar se konflikti mund të zgjidhet vetëm përmes dialogut.
“Bisedimet që u zhvilluan më herët në Stamboll treguan se rruga e paqes është ende e hapur”, tha Erdogan.