Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, po fluturonte drejt Bullgarisë kur sistemi GPS i avionit të saj u ndërpre nga një operacion i dyshuar rus, duke detyruar pilotët të mbështeteshin në navigacionin rezervë dhe në hartat tradicionale për të ateruar në mënyrë të sigurt.
Ky ishte rasti më i fundit i një taktike në rritje dhe shqetësuese në zonat e konflikteve moderne të bllokimit të sinjaleve të Sistemit Global të Pozicionimit (GPS).
Derisa avioni i von der Leyen po afrohej pranë Aeroportit të Plovdivit, sinjalet e GPS-it që udhëzonin avionin, u zhdukën papritmas, duke i lënë pilotët “në errësirë” sa i përket navigacionit satelitor për gati një orë.
Pavarësisht pengesave, ata kaluan shpejt te sistemet rezervë dhe ateruan në mënyrë të sigurt pa ndonjë incident. Moska e ka mohuar çdo rol pengimin e në fluturimin e von der Leyen. Sipas zyrtarëve bullgarë, ndërprerjet dhe bllokimi i sinjaleve të GPS-it janë bërë kaq të shpeshta saqë rastet individuale, si ai i von der Leyen, nuk hetohen më ndaras.
Por, ish-ministri i Mbrojtjes, Todor Tagarev, nuk pajtohet. “Nëse ka pasur ndërprerje, ajo nuk ka mundur të vijë nga jashtë vendit”, tha Tagarev për Shërbimin bullgar të Radios Evropa e Lirë (REL). Ai shtoi se, në rrethana të tilla, “shërbimet e sigurisë duhet të zbulojnë se çfarë ndodhi”.
Rastet e ndërprerjes dhe manipulimit të sinjaleve të GPS-it po rriten, sipas analistëve të aviacionit, veçanërisht në sektorët e aviacionit dhe detarisë, sidomos pranë zonave të konflikteve si Ukraina, Deti i Zi dhe Evropa Lindore. Në mars, agjencitë e Kombeve të Bashkuara për telekomunikacionin, aviacionin dhe transportin detar kërkuan “mbrojtje të menjëhershme” për shërbimin satelitor të radionavigacionit (RNSS), i cili mbështet navigacionin global dhe matjen e saktë të kohës./ REL