Giorgio Armani, një nga emrat më të mëdhenj të modës botërore, ndërroi jetë në moshën 91-vjeçare, duke lënë pas një trashëgimi të jashtëzakonshme dhe pyetje të mëdha për të ardhmen e kompanisë që mbajti nën kontroll të rreptë për dekada.
Si aksioneri i vetëm dhe themeluesi i markës, Armani kishte refuzuar çdo ofertë për shitje apo listim në bursë, duke mbrojtur me fanatizëm pavarësinë e grupit të tij. Edhe pse pa pasardhës të drejtpërdrejtë, ai kishte përgatitur një plan për trashëgiminë, përfshirë krijimin e një fondacioni në vitin 2016, që do të ndihmojë në ruajtjen e vizionit të tij.
Kontrolli i kompanisë pritet të kalojë te anëtarë të familjes dhe bashkëpunëtorë të afërt: motra Rosanna, mbesat Silvana dhe Roberta, nipi Andrea Camerana dhe krahu i djathtë, Pantaleo Dell’Orco. Sipas statutit të kompanisë, çdo listim në bursë nuk mund të ndodhë para pesë vitesh dhe kërkon miratimin e shumicës së drejtuesve.
E ardhmja e Grupit Armani mbetet për t’u parë, por trashëgimia e dizajnerit duket se është ndërtuar mbi bazat e stabilitetit, besnikërisë dhe pavarësisë vlera që ai i mbrojti deri në fund.









