Fitim Dumani, vëllai i të shumëkërkuarit për vrasje me pagesë Nuredin Dumani, ka bërë një deklaratë tronditëse në një intervistë për gazetarin Flamur Vezaj në podcastin “MaShqip”.
Ai ka pohuar se Talo Çela një nga emrat më të kërkuar nga policia shqiptare është vrarë në Elbasan nga vëllezërit Çopja.
Sipas Dumanit, vrasja ka ndodhur teksa Çela po konsumonte një vakt në një restorant në pronësi të vëllezërve Çopja. “Talo Çelën e kanë vrarë duke ngrënë bukë. Në restorant në Elbasan. E vranë që të mos fliste dhe për të humbur gjurmët,” – u shpreh ai.
Ai gjithashtu tregoi se konflikti mes Nuredin Dumanit dhe Talo Çelës, dikur miq të afërt, kishte nisur për një borxh prej 10 mijë euro. “Janë prish për 10 mijë euro që Altin Ndoci i kishte Dashnorit. Altini ishte ushtar i Talos,” – tha Fitim Dumani.
Kujtojmë se Talo Çela është i shpallur në kërkim për një sërë krimesh të rënda dhe se për afro tre vjet nuk ka pasur asnjë informacion zyrtar mbi vendndodhjen apo fatin e tij.