Diplomacia ekonomike ishte në fokusin kryesor të ditës së dytë të Konferencës treditore të Ambasadorëve në Shqipëri, ku ministrja e Energjitikës dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku, theksoi rolin kyç të investimeve të huaja dhe transparencës në zhvillimin ekonomik të vendit.
Në fjalën e saj para diplomatëve, Balluku u shpreh se Shqipëria është më afër se kurrë anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe po ndërton një ekonomi të qëndrueshme, konkurruese dhe të hapur ndaj investimeve të mëdha ndërkombëtare.
“Shqipëria e turizmit, e kulinarisë, ju jeni me fat sepse promovoheni nga një kryeministër që sot përfaqëson një brand më vete. Do të propozoja sot që ministria e jashtme ta shohi rikthimin në bazë semestrash për t’ju dhënë informacionin e duhur.
Ndryshimet që vendi ynë pëson janë me muaj dhe shpesh herë me javë. Ndodhemi në një moment të rëndësishëm historik për vendin. Shqipëria është vetëm një hap larg ëndrrës së saj të madhe, po flasim për një realitet të prekshëm dhe po dëgjojmë nga diplomatët europianë se kemi afër datën për tu anëtarësuar në BE.
Duhet të angazhohemi secili në detyrën e tij për të përmbushur detyrat dhe kërkesat që nisin me diplomacinë dhe përfundojnë me shtimin e kapaciteteve. Shqipëria sot ka një ekonomi të qëndrueshme dhe po ndërton një ekonomi konkuruese dhe transparente.
Sot Shqipëria e thotë me gojën plot se është një nga vendet më atraktive jo vetëm për burimet që ka, këto mundësi investimi i ndërton me një transparencë europiane. Në Shqipëri kompanitë më të mëdha të ekselencës janë në vendin tonë falë një politike transparente.”









