Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, deklaroi gjatë Konferencës së Ambasadorëve “Diplo2025” se Shqipëria është në rrugën e duhur për t’u bërë një lider rajonal në prodhimin e energjisë së gjelbër. Ajo theksoi rritjen e ndjeshme të kapaciteteve nga burimet diellore dhe planet për të nisur prodhimin e energjisë nga era në veri të vendit.
Sipas saj, ambasadorët kanë një rol kyç në promovimin e Shqipërisë si destinacion për investime në sektorin energjetik dhe infrastrukturor.
“Korridori 8 është i shoqëruar edhe me autostradat e tij, që e lidhin Tiranën përmes Elbasanit, me Pogradecin. Korridori 8 nuk është vetëm korridor hekurudhor, por energjetik i Shqipërisë. Shqipëria ka 6 fishuar prodhimin e energjisë së gjelbër, nga parqet fotovoltaike.
Duke nisur nga 2019, ne kemi arritur në këto 6 vite, të ngremë 30 përqind të kapaciteteve, përmes diellit, që Shqipërisë nuk i mungon. Ne po përgatitemi për parkun e erës, në zonën e Tropojës, e financuar nga një nga kompanitë më të mëdha evropiane.
Kemi shumë për të promovuar. Ju jeni sytë dhe veshët e Shqipërisë kudo në botë. Çdo investim i huaj, është hap i ekonomisë sonë, drejt konsolidimit të saj.”









