Deputeti i PS, Erion Braçe, ka reaguar pas raportimeve për domate shqiptare të bllokuara në Kroaci për shkak të mbetjeve të pesticideve mbi normën.
Ai kërkoi ndëshkim për çdo prodhues të papërgjegjshëm, por theksoi se ky ishte një rast i izoluar, mes mijëra tonëve produkte të eksportuara.
“Nuk prodhojmë pesticide në Shqipëri, ato importohen nga vende si Kroacia. Ndaj, ndalni panikun dhe mos baltosni të gjithë prodhimin vendas,” shkruan Braçe, duke shtuar se vetëm vitin e kaluar, Kroacia ka importuar 9,000 ton fruta e perime shqiptare.
Ai kritikoi gjithashtu Ministrinë e Bujqësisë për heshtjen dhe mungesën e sqarimeve publike, ndërsa bëri thirrje për mbështetje më të madhe për bujqësinë dhe nxitjen e metodave biologjike të mbrojtjes së bimëve.








