Ushtria polake njoftoi se ka rrëzuar disa dronë rusë që shkelën hapësirën ajrore të vendit gjatë një vale sulmesh ndaj Ukrainës perëndimore. Ushtria polake e ka cilësuar incidentin si “akt agresioni”.
Forcat polake ngritën në ajër avionë të NATO-s dhe vendosën mbrojtjen ajrore në gatishmëri të lartë. Ndërsa Aeroporti Chopin i Varshavës u mbyll përkohësisht.
“Për të garantuar sigurinë e hapësirës ajrore polake, Komandanti Operativ i Forcave të Armatosura Polake ka aktivizuar të gjitha procedurat e nevojshme,” thuhet në deklaratë, duke shtuar se ushtria polake është “plotësisht e përgatitur për një përgjigje të menjëhershme.”
Kryeministri Donald Tusk tha se ka informuar Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte dhe se Polonia është në kontakt të vazhdueshëm me aleatët.
“E kam informuar Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, mbi situatën aktuale dhe veprimet e ndërmarra kundër objektivave që shkelën hapësirën tonë ajrore”, tha kryeministri polak, Donald Tusk, në X,
“Jemi në kontakt të vazhdueshëm”, shtoi Tusk.
“Një operacion është duke u zhvilluar në lidhje me shkelje të shumta të hapësirës ajrore nga Rusia dhe ushtria ka përdorur armë kundër objektivave” të identifikuara si dronë, tha ai.









