Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ka reaguar pas nisjes së vitit të ri shkollor. Tabaku e ka cilësuar rënien drastike të numrit të nxënësve si pasqyrën më të dhimbshme të krizës demografike që po kalon vendi.
“Ky nuk është thjesht një tregues arsimor. Është kriza e një kombi që po zvogëlohet dhe zbehet ditë pas dite. Në thuajse 70 njësi administrative ka më pak se 100 fëmijë. Shqipëria po plaket përpara se të zhvillohet”, u shpreh Tabaku.
Ajo nënvizoi se çmimet e rritura dhe pasiguria ekonomike ka sjellë që shumë familje të mos lindin më fëmijë, si dhe të rinjtë të zgjedhin emigrimin si rrugëdalje.
“Një vend i ndarë mes boshatisjes së fshatrave dhe një Tirane të mbingarkuar është një vend i dënuar të humbasë betejën me të ardhmen. Prandaj beteja jonë është çdo ditë kundër këtij sistemi të padrejtë që godet familjen dhe të ardhmen e Shqipërisë”, tha Tabaku.