Inspektorati komunal në Mitrovicën e Veriut, me asistimin e Policisë së Kosovës ka mbyllur një objekt ku dyshohet se vepronin struktura ilegale të Serbisë. Sipas komunës, aty operonin Fondi Republikan për Sigurimin Shëndetësor dhe ai Pensional i Serbisë.
“Gjatë kontrollit është konstatuar se personat e hasur në objekt nuk kanë pasur dokumentacion të vlefshëm për ushtrimin e veprimtarisë së përmendur. Për këtë arsye, puna është pezulluar përkohësisht, ndërsa procedura e mëtejshme do të zhvillohet në mënyrë të rregullt, në përputhje me ligjet dhe kompetencat në fuqi”, tha Visar Syla, shef i kabinetit të kryetarit në Komunën e Mitrovicës së Veriut.
Policia e Kosovës thotë se në verifikim e këtij objekti dyshohet se kanë operuar këto dy institucione ilegale të Serbisë.
“Kemi asistuar inspektoratin komunal të Mitrovicës së veriut në mënyrë që të kontrollojnë dy lokacion në afërsi të tre rrokaqiejve. Pas diskutimit nga ana e inspektorëve komunal kanë vendosur me i mbyllë këto lokacione ndërsa policia nuk ka hasur në ndonjë problem”, tha Veton Elshani, zëvendësdrejtor i stacionit veri.