-sidi education-spot_img
20.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Fatos Çoçoli: Profili ekonomik i një kabineti qeveritar

Kryesoret

Kryeministri Edi Rama prezantoi dje emrat e kabinetit të ri qeveritar për mandatin 2025–2029, duke e cilësuar si “qeveria e ndryshimit digjital dhe të gjelbër”. Ky kabinet synon të përballojë sfidat ekonomike, sociale dhe mjedisore të katër viteve të ardhshme, duke përfshirë rritjen e qëndrueshme, përshpejtimin e integrimit europian dhe përballjen me krizën klimatike. Kabineti paraqet disa risi strukturore, si krijimi i ministres virtuale “Diella”, produkt i inteligjencës artificiale, deri më sot ndihmuesja virtuale e portalit “e-Albania”.

Diella në qeveri do të merret sidomos me kontrollin e prokurimeve publike. Kabineti i ri paraqitet më i balancuar nga ana gjinore, me 50 për qind të ministrave gra, duke e bërë qeveri me përfaqësimin më të lartë të grave në historinë e Shqipërisë. Disa ministra dhe zëvendësministra janë profesionistë të spikatur nga sektori privat dhe akademik, duke sjellë ekspertizë të çmuar teknike.

Kabineti ka përparësi neutralitetin klimatik, me investime në energjinë ujore, diellore dhe të erës. Ekipi i ri qeverisës për periudhën 2025– 2029 vjen në një moment të rëndësishëm për ekonominë tonë. Kemi katër vite rresht (2021-2024) më rritje ekonomike të qëndrueshme, kemi sfidën e integrimit të shpejtë europian dhe të transformimit të thellë digjital të ekonomisë dhe shoqërisë, përmes inteligjencës artificiale. Qëllimi kryesor është përmirësimi i cilësisë së jetës së qytetarëve dhe afrimi i Shqipërisë me standardet e Bashkimit Europian.

Objektivi themelor në ekonomi është shtimi mesatar i prodhimit kombëtar(PBB-së) me mbi 4 për qind në vit, me përqendrim në sektorët që gjenerojnë punësim dhe eksporte. Gjeneratorët e rritjes ekonomike do të jenë energjetika e gjelbër (parqet fotovoltaike dhe eolike), turizmi i qëndrueshëm, bujqësia e ndihmuar dhe teknologjia e informacionit. Në transport ky kabinet do të përfundojë korridoreve strategjike rrugore dhe do të vijojë me ritëm të shtuar projektet hekurudhore Tiranë–Durrës–Rinas dhe Vorë–Hani i Hotit. Energjia do të na sjellë dyfishim të kapaciteteve të prodhimit të energjisë së rinovueshme, por edhe ndërtimin e kapaciteteve të reja të ruajtjes së energjisë dhe rritje të sigurisë së furnizimit.

Në nivel të ujësjellës-kanalizimeve, kabineti do të punojë për mbulesë kombëtare me ujë të pijshëm 24 orë në 24, duke zgjeruar ndjeshëm rrjetin e impianteve të trajtimit të ujërave të zeza. Ky kabinet synon digjitalizimin 100 për qind të shërbimeve publike, duke ulur korrupsionin ërmes procedurave “online”. Ai do të ofrojë lehtësira fiskale për investitorët e huaj dhe për startup-et, do të thjeshtojë procedurat e lejeve, licencave dhe do të nxisë përshpejtimin e gjykimeve për çështjet tregtare.

Do të nxisë eksportet bujqësore në rritje, përmes politikave të subvencionit të produkteve bujqësore dhe agropërpunuese. Kabineti do të punojë për krijimin e mbi 100 mijë vendeve të reja pune në katër vite, duke përmirësuar sistemin e arsimit profesional dhe lidhjen e tij me nevojat e tregut. Do të provojë të rikthejë diasporën, duke nxitur investimet e saj në sektorët strategjikë. Ka për detyrë urgjente rritjen e premtuar të pagës minimale dhe të pensioneve të vogla.

Reforma e dytë e pensioneve pret pikërisht këtë kabinet! Ka disa cuname që i vijnë ndesh si sfida Davidi me Goliathin: emigracioni i lartë i fuqisë punëtore dhe mungesa e profesionistëve në treg, por edhe rreziku nga krizat globale që mund të rrisin fort çmimet e energjisë. Ka nevojën ulëritëse për të shtuar produktivitetin e sektorëve kryesorë dhe për të diversifikuar ekonominë.

Si përfundim, objektivat ekonomike të qeverisjes Rama 2025–2029 janë të ndërtuara mbi vizionin e rritjes së qëndrueshme, modernizimit të vendit dhe afrimit me standardet e BE-së. Mirëpo, suksesi i këtyre objektivave do të varet nga zbatimi në kohë i reformave strukturore, nga mobilizimi i investimeve private dhe publike, nga tërheqja e investuesve të huaj strategjikë dhe nga bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë.

Çdo ministër i kabinetit të ri do të ishte mirë të kishte një kontratë performance dhe tregues të qartë që duhet t’i monitorohen çdo gjashtë muaj nga një këshill ekspertësh të pavarur(mund të jenë edhe vetëm dy ose tre) që duhet të funksionojë pranë Kryeministrit. Ky këshill mund të përdorë teknologjinë “Open Data”, me transparencë të plotë mbi buxhetet e ministrive, prokurimet dhe progresin e projekteve strategjike të tyre, si dhe të konsultohet rregullisht për raportimet e tij, me sektorin privat dhe shoqërinë civile.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit