Policia greke ka arrestuar tre shqiptarë në Selanik, pasi akuzohen për tentativë vrasje, bazë armatimi dhe trafik droge.
Gentian Çipi 39 vjeç, Enea Basholli 30 vjeç dhe Kleo Topa 23 vjeç, të tre nga Korça dyshohen se në orët e para të 3 shtatorit, në zonën e Pilaias në Selanik, kanë hapur zjarr jashtë një kantine.
Ata kanë hapur zjarr duke tentuar të vrasin një 25-vjeçar grek, i cili u plagos rëndë duke marrë plagë në gjoks dhe dorë. Në vendin e ngjarje policia gjeti 3 gëzhoja.
Sipas policisë greke, personi që qëlloi me armë ishte Gentian Çipi, i cili rezulton kreu i një grupi kriminal qe kryen trafik droge dhe veprime të dhunshme. Pas ngjarjes, tre të dyshuarit janë larguar me automjetin në pronësi të Enea Bashollit.
Gjatë kontrolleve të policisë greke, janë gjetur dhe sekuestruar 1 Kallashnikov me 30 fishekë, 3 pistoleta, silenciator, rreth 31 kg marijuanë, pasaportë false, patentë false, 23 mijë e 350 euro, celularë dhe 3 automjete.