Jamarbër Malltezi, dhëndri i ish-Kryeministrit Sali Berisha, ka cilësuar procesin gjyqësor ndaj tij për aferën “Partizani” si një “proces politik” dhe ka hedhur akuza të forta për falsifikimin e dokumenteve.
Në fund të seancës, ai u shpreh për mediat se akt-akuzat janë të mbushura me manipulime dhe i ka quajtur të fshehta hetimet e realizuara për këtë çështje.
“Është një proces politik siç u dëshmua. Kemi identifikuar me dhjetëra falsifikime të dokumentit zyrtar akt-akuzë. Ka 3 vite që u mbajt e fshehtë, u fshehën emrat e personave ndaj të cilëve zhvilloheshin hetime. U përmend edhe fakti që Irena Gjoka mbrohet me një kokëfortësi të çuditshme nga Edi Rama sepse është përdorur si kamikaze për të luftuar opozitën. Vendimi i dënimit të Irenës nuk ka dënime dhe prapë KLGJ nuk vepron, Prokuroria e Përgjithshme fshihet pas gishtit. E gjithë kjo çështje nuk ka hetim, kanë hedhur në erë gjithë hetimin”, tha ndër të tjera Jamarbër Malltezi.