Gratë përveçse jetojnë më gjatë se burrat po synojnë të rrisin cilësinë e jetës duke u përfshirë në arsim më shumë se burrat. Një grua në vendin tonë jeton mesatarisht 5 vite më shumë se burrat, teksa shumica diplomave me arsim lartë përfitohen nga gratë dhe shumica e funksioneve akademike dhe pedagogjike po zotërohen nga gjinia femërore.
Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT popullsia banuese në Shqipëri në fund të vitit 2024 përbëhet nga 50,5% gra dhe 49,5% burra. Krahasuar me vitin 2023, popullsia e burrave ka rënë me 1,3% dhe ajo e grave me 1.0%. Shtesa natyrore, gjatë vitit 2024 është pozitive, me 1.060 lindje më shumë se vdekje për gratë dhe vetëm 148 për burrat.
Vdekshmëria foshnjore është 5,3 vdekje për një mijë lindje për djemtë dhe 4,1 vdekje për vajzat. Ky tregues ka pësuar rënie, si për djemtë dhe për vajzat, krahasuar me një vit më parë.
Shëndeti, “tensioni” problem burrat dhe gratë
Shkaqet kryesore të vdekjeve për gratë dhe burrat në vitin 2024, vijojnë të jenë nga “grup-sëmundjet e aparatit të qarkullimit të gjakut”, të cilat shkaktojnë 54,7% të vdekjeve tek gratë dhe 51,4% të vdekjeve tek burrat.
Nga 23.310 lindje të regjistruara në vitin 2024 shënohen 4.192 aborte, me një raport 180 aborte për çdo 1.000 lindje.
Raporti i abortit për moshat teke 15 deri 19 vjeç, vlerën më të lartë e shënon mosha 18 vjeç me 179 aborte në 1.000 lindje. Pjesa më e madhe e aborteve kryhen nga gratë e grup-moshës 20-34 vjeç, e cila është dhe grup-mosha më riprodhuese e gruas.
Diplomat, dominojnë vajzat
Në vitin akademik 2023-24, u diplomuan 28.193 studentë, nga të cilët 65,8% ishin vajza, me një rritje prej 0,6 pikë përqindje, krahasuar me vitin e kaluar akademik.
Në arsimin 9-vjeçar dhe e mesëm e lartë, gratë përbëjnë shumicën e stafit mësimor, përkatësisht 79,1% dhe 71,0%. Në arsimin e lartë, në stafin akademik me kohë të plotë, gratë me titull Profesor përbëjnë 51,4%, ato me titull Doktor 61,6% dhe Akademikë dhe Pedagogë pa tituj 59,1% të totalit për secilën kategori.
Fushat e studimit ku vajzat diplomohen më shumë janë Biznes, administrim dhe ligj (25,9%), Shëndet dhe mirëqenie (24,0%) dhe Shkenca sociale, gazetari dhe informacion (11,9%). Ndërsa fushat e studimit, ku diplomohen më së shumti djemtë, janë Inxhinieri, prodhim dhe ndërtim (25,2%), Biznes administrim dhe ligj (21,6%), Teknologji e informacionit dhe komunikimit (13,2%).
Në popullsinë 25 vjeç e lart, 52,2% e grave janë me arsim bazë kundrejt 43.6% për burrat. Në arsimin e mesëm të lartë, dominojnë burrat (40,3%, kundrejt 29,0% të grave), ndërsa në arsimin e lartë, gratë kanë përqindje më të lartë (18,8% kundrejt 16,1% të burrave).
Tregu i punës, burrat janë më prezent
Burrat janë më shumë prezent në tregun e punës sesa gratë, duke pasqyruar pjesëmarrje më aktive, respektivisht 82,3% dhe 69,3% për moshat 15-64 vjeç.
Struktura e të punësuarve sipas statusit të aktivitetit tregon se 51,2% e grave janë të punësuara me pagë, ndërsa 28,5% e tyre janë punëtore pa pagesë në biznesin e familjes.
Për gratë dhe burrat e moshës 15-64 vjeç mbizotëron punësimi në sektorin e bujqësisë. Në vitin 2024, në sektorin bujqësor janë punësuar 41,5% gra. Sektori i dytë që zë peshën më të madhe në punësimin e grave dhe burrave është tregti, transport, hoteleri, shërbime të biznesit dhe administrative, përkatësisht me 22,6% të punësuara gra dhe 28,3% burra.
Të dhënat tregojnë se rreth gjysma e grave dhe burrave punëkërkues të papunë kanë arsim 8/9 vjeçar, përkatësisht 46,9% dhe 44,3%.
Gratë në vendimmarrje, dominojnë qeverinë
Niveli i përfaqësimit të grave në parlament gjatë vitit 2024 është 35,7%. Në zgjedhjet vendore të vitit 2023, në përbërje të listave me kandidatë për kryetar bashkie ishin 10,4% gra.
Kandidate gra fituese për kryetar bashkie ishin 13,1%. Pjesëmarrja e gruas në misionet diplomatike në vitin 2024 ka qenë në nivele të krahasueshme me burrat, ku përqindja e ambasadorëve gra ishte 37,5% ndërsa gratë në pozicionin e Ministrit Fuqiplotë ishin 66,7%.
Në vitin 2024, përqindja e grave në Forcat e Armatosura është 15,4%.
Biznesi, gratë dominojnë në të voglat
Përqindja e pronareve ose administratoreve gra është më e lartë në ndërmarrjet e vogla (me 1-4 të punësuar) me 32,6% gra.
Numri i bizneseve me pronare ose administratore gra është më i madh në Sektorin e Shërbimit, sesa në Sektorin Prodhues, përkatësisht 33,6% dhe 18,0%. Nga skemat mbështetëse të Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve 40,6 % e përfituesve janë gra./Monitor