Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka ngritur shqetësime të forta në Kuvend lidhur me ndryshimet në strukturën e Komisioneve dhe rregulloren e Parlamentit, duke akuzuar mazhorancën për shkelje të Kushtetutës.
Ajo theksoi se këto veprime dëmtojnë procesin e integrimit evropian dhe ngushtojnë hapësirat e opozitës për të ushtruar kontroll parlamentar. Tabaku kërkoi një debat të gjerë dhe transparencë në mënyrën se si po menaxhohen këto ndryshime.
“Ne sot duhet të kishim pasur një debat parlamentar se si mund të rrisim hapësirën e opozitës, në një moment ku të gjitha hapësirat janë uzurpuar nga mazhoranca. Po e nisni sesionin e Kuvendit duke shkelur me dy këmbë Kushtetutën, dhe nga ana tjetër mburreni për procesin e integrimit. Çfarë vlere ka sa kapituj hapen dhe mbyllen kur shkelni Kushtetutën”.








